
MPB konfirmon se e dyshuara A.A. (43) nga Tetova u arrestua nga policia e Kumanovës; një tjetër person, L.F. (36) nga Gostivari, është në arrati.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se është arrestuar gruaja e mjekut Zekirija Shaini, e dyshuar për përfshirje në tentativën për vrasjen e tij. Sipas informacioneve zyrtare, e dyshuara A.A. (43) nga Tetova është arrestuar më 7 tetor nga policia e Kumanovës.
Ngjarja lidhet me një sulm të armatosur ndaj mjekut Zekirija Shaini (43), nga fshati Sllupçan i komunës së Lipkovës. Policia bën të ditur se është në kërkim edhe një person tjetër i përfshirë në rast, L.F. (36) nga Gostivari, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
“Për rastin janë intervistuar gjashtë persona në Stacionin Policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova është kryer bastisje me urdhër gjyqësor,” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, pritet që ndaj A.A. të ngrihet kallëzim penal për përfshirje në tentativën për vrasje. Po ashtu, kallëzim penal do të parashtrohet edhe ndaj të dyshuarit L.F., në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim.



