Arrestohet prokurori Beqë Shala në Prizren, dyshohet për marrje ryshfet

Aksioni u zhvillua me urdhër të Prokurorisë Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Prokurori Beqë Shala, i cili shërben në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, është arrestuar sot nën dyshimet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Aksioni për arrestimin e tij është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale, ku kanë marrë pjesë hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, prokurori Shala është prangosur në vendin e tij të punës dhe ndaj tij po ndërmerren procedurat hetimore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.

“Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Back to top button