Avdullah Hoti akuzon Qeverinë në detyrë për shkelje ligjore me dorëzimin e projektbuxhetit 2026

Deputeti i LDK-së thotë se miratimi dhe shpërndarja e projektligjit për buxhetin nga qeveria në detyrë përbën tejkalim të autorizimeve ligjore dhe akuzon kryetarin e Kuvendit për përfshirje në shkelje.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas dërgimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026 në adresat zyrtare të deputetëve të Kuvendit, duke e cilësuar këtë veprim si tejkalim të kompetencave ligjore nga Qeveria në detyrë.

Në një deklaratë publike, Hoti tha se ky projektligj është miratuar dhe dërguar në Kuvend në kundërshtim me ligjin, dhe se në këtë proces është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili sipas tij është bërë “pjesë e shkeljeve ligjore” duke e shpërndarë dokumentin te deputetët.

“Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur qeveritë në detyrë e kanë përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”, tha Hoti.

Ai shtoi se një tjetër shkelje ligjore qëndron në faktin se Projektligji për Buxhetin është prezantuar në mbledhjen e Qeverisë nga një deputet dhe është dorëzuar në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas Hotit, mbajnë në mënyrë kundërligjshme pozitat e ministrit dhe kryeministrit, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Hoti gjithashtu akuzoi presidenten Vjosa Osmani se nuk po ndërmerr veprime për të ndalur funksionimin që ai e cilësoi si “qartësisht jokushtetues” të Qeverisë në detyrë.

“Nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin jokushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve”, deklaroi Hoti.

Ai shtoi se si presidentja, ashtu edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë synim vetëm ruajtjen e pushtetit, jo interesin e qytetarëve.

“Këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave. Nuk dinë dhe nuk mund të mbijetojnë në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale nuk i pranojnë mashtruesit,” përfundoi Hoti.

Back to top button