
Deputetja thotë se licencimi i EFT-së dhe emërimet në ZRRE dëshmojnë ndikimin politik dhe krijimin e “mafisë energjetike”.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sektorin e energjisë, duke pretenduar se janë emëruar njerëz të dëgjueshëm politikisht e jo profesionistë, me qëllim të krijimit të asaj që ajo e quan “mafia energjetike”.
Përmes një deklarimi publik, Bajrami ka ftuar qytetarët që të dëgjojnë, siç u shpreh ajo, “me zë dhe me figurë” shpjegimet e ish-zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Berat Lahu, i cili sipas saj ka treguar në detaje mënyrën se si ka vepruar kjo parti në sektorin e energjisë.
Ajo ka përmendur në veçanti procesin e zgjedhjes së kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke theksuar se janë zgjedhur persona të dëgjueshëm ndaj pushtetit dhe jo njerëz me integritet profesional.
“Albin Kurti dhe nëntoka e Vetëvendosjes kanë zgjedhë njerëz të dëgjueshëm në ZRRE, siç janë sot, e jo njerëz profesionistë”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja ka ngritur gjithashtu pikëpyetje rreth licencimit të kompanisë EFT të biznesmenit Vuk Hamoviq, duke theksuar se dega e kësaj kompanie në Kosovë është licencuar për herë të parë në vitin 2021, gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.
“A e dëgjuat që EFT e Vuk Hamoviqit, dega në Kosovë, për herë të parë licensohet në vitin 2021, nën qeverisjen e Albin Kurtit”, ka theksuar Bajrami.
Sipas saj, këto veprime dëshmojnë për ndikim politik në institucionet e pavarura dhe për keqmenaxhim të sektorit të energjisë në Kosovë.



