Behgjet Pacolli ngre alarmin: Aeroporti i Vlorës është marrë peng, SPAK të godasë urdhërdhënësit

Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar se objekti po mbahet i bllokuar prej më shumë se gjashtë javësh nga grupe që, sipas tij, veprojnë jashtë ligjit, në prani dhe me tolerimin e Policisë së Shtetit.

Në një reagim publik, Pacolli u bëri thirrje institucioneve shqiptare që të ndërhyjnë menjëherë për rivendosjen e ligjshmërisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.

banner

“Prej më shumë se gjashtë javësh, Aeroporti i Vlorës mbahet i bllokuar dhe de facto i konfiskuar nga grupe që veprojnë jashtë ligjit, në prani dhe nën tolerimin e Policisë së Shtetit”, ka shkruar ai.

Pacolli i ka bërë thirrje të posaçme SPAK-ut që të thellojë hetimet jo vetëm ndaj personave që, sipas tij, ushtrojnë vetëgjyqësi, por edhe ndaj urdhërdhënësve të tyre.

“Një apel i veçantë i drejtohet SPAK-ut që të thellojë hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar jo vetëm grupet që ushtrojnë vetëgjyqësi, por edhe urdhërdhënësit dhe dirigjentët e tyre, të cilët, nën petkun e institucioneve shtetërore, kanë mundësuar dhe mbështetur këto veprime të paligjshme”, theksoi ai.

Pacolli kërkoi gjithashtu që t’i lejohet kompanisë MABCO të përfundojë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke thënë se projekti është pothuajse i përfunduar dhe se nevojiten vetëm pak ditë pune për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës së bllokadës.

Sipas tij, kompania ka të gjitha kapacitetet financiare, teknike dhe profesionale për ta përmbyllur projektin, ndërsa pengesa e vetme mbeten, siç u shpreh ai, grupet që ushtrojnë vetëgjyqësi dhe ata që i mbështesin ose i tolerojnë.

“Nuk lejoni që paligjshmëria të triumfojë mbi ligjin. Lejoni përfundimin e Aeroportit të Vlorës, zbatoni vendimet e Gjykatës së Lartë dhe riktheni autoritetin e shtetit të së drejtës”, përfundoi Pacolli.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.