
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka akuzuar grupe të caktuara dhe institucionet shqiptare se po e mbajnë jashtë Aeroportit të Vlorës kompaninë që, sipas tij, e ndërtoi projektin me mbi 310 milionë euro investime.
Në një reagim publik, Pacolli ka thënë se më 18 maj atij dhe nënkontraktorëve të tij iu ndalua hyrja në aeroport, ndonëse sipas tij terminali dhe infrastruktura ishin pothuajse të përfunduara.

“Grupe jashtëligjore, me ndihmën e Policisë së Shtetit, na ndaluan hyrjen në një aeroport që e kishim ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për vendin”, ka shkruar ai.
Pacolli pretendon se kompania e tij ka fituar edhe në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, por pavarësisht kësaj vazhdon të mos ketë qasje në projekt.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për raportimet që, sipas tij, persona të paautorizuar po hyjnë në objektet e aeroportit, duke dëmtuar inventarin dhe duke tentuar të disponojnë me asete që nuk u përkasin.
“Aeroporti i Vlorës është ndërtuar me dashuri, me krenari dhe me bindjen se do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimit të vendit”, ka deklaruar Pacolli.
Në fund, ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe institucioneve shtetërore që të hetojnë situatën dhe të garantojnë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e investimeve.



