
Përfaqësuesi egjiptian lë të hapur mundësinë e mbështetjes për Qeverinë Kurti 3, duke pritur propozimet e sotme.
Deputeti nga komuniteti jo-shumicë egjiptian, Veton Berisha, ka bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar një takim me mandatarin për kryeministër, Albin Kurti, ndërsa vendi pret votimin vendimtar për formimin e qeverisë së re.
“Kemi diskutu, por të shohim sot propozimet qysh janë. Mbramë kemi takuar kryeministrin, të shohim se si do të rrjedh situata sot. Nuk jemi bllokues asnjëherë”, u shpreh Berisha para gazetarëve.
Deklarata e tij shihet si një sinjal i rëndësishëm për Vetëvendosjen, e cila ka vetëm 48 mandate dhe i duhet mbështetje shtesë nga komunitetet joshumicë për të arritur shumicën prej 61 votash.
Ndërsa tensionet rriten në prag të votimit, Berisha nuk zbuloi detaje të marrëveshjeve të mundshme, por la të kuptohet se qëndrimi i tij do të varet nga propozimet që do të paraqiten në seancën e sotme. Deputetët janë thirrur në orën 10:00 për të vendosur të ardhmen e ekzekutivit dhe nëse vendi do të ketë Qeveri “Kurti 3” apo do të shkojë drejt një rruge të re politike.



