Berisha shpjegon nenin që e citoi Osmani: Nuk krijon detyrime artificiale për presidentin

Juristi thekson se çdo veprim pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit mund të ishte i gabuar.

Juristi Durim Berisha ka komentuar situatën politike dhe ligjore rreth mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, duke theksuar se neni 95, paragrafi 4 i Kushtetutës së Kosovës krijon detyrime për presidentin vetëm kur nga konsultimet me partitë politike parlamentare ai pranon se zgjedhja e Qeverisë në raundin e dytë është e mundur.

Berisha shpjegon se kjo dispozitë rregullon procedurën e zgjedhjes së Qeverisë dhe përcakton rolin e kreut të shtetit, por nuk krijon detyrime artificiale dhe as diskrecion të pakufizuar për presidentin.

“Paradoksi i situatës aktuale qëndron në faktin se Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur nëse Kuvendi është konstituuar apo jo. Prandaj, çdo veprim i ndërmarrë pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka qenë i gabuar,” tha ai.

Berisha thekson rrezikun e një veprimi të nxituar: “Paramendoni sikur të shpërndahej Kuvendi dhe të shpalleshin zgjedhjet e reja, ndërkohë që më vonë Gjykata Kushtetuese do të dilte me vendim se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ka qenë e pavlefshme – pra, se Kuvendi nuk është konstituuar.”

Back to top button