
Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Besa Ismaili-Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Glauk Konjufcës për Vjosa Osmanin, duke e cilësuar atë si seksiste dhe përbuzëse ndaj profesionit të frizerëve.
“Për primitivizmin politik të z. Konjufca kam shkruar edhe më parë. Sot po shkruaj kundër përbuzjes klasore dhe seksizmit të këtij filozofi të provincës”, shkroi ajo.
Ismaili-Ahmeti pyeti se çfarë ka të keqe profesioni i frizerëve, duke thënë se bëhet fjalë për njerëz që punojnë ndershëm dhe mbajnë familjet e tyre.
“Kur një politikan përdor zanatin e dikujt si sharje, ai po tregon se për të dinjiteti i punëtorit nuk vlen asgjë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, përdorimi i termit “frizerkë” për një ish-presidente përbën përbuzje klasore, seksizëm dhe arrogancë politike.
“Një ish-kryetar parlamenti që një ish-presidente të shtetit e quan ‘frizerkë’ nuk po e fyen vetëm një individ. Ai po fyen një profesion të tërë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se sulmet ndaj grave në politikë me stereotipe gjinore nuk janë kritikë politike.
“Kur një grua në politikë sulmohet me etiketime të tilla, mesazhi është i qartë: për disa burra pushteti, gratë ende nuk shihen si lidere, por si objekte talljeje”, deklaroi Ismaili-Ahmeti.
Në fund, ajo tha se politika kosovare ka nevojë për standard dhe respekt njerëzor, e jo “zhurmë primitive”.



