
Zyrtari i LDK-së, Besian Mustafa, ka dalë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe ka bërë thirrje për unitet brenda partisë, në kohën kur debatet e brendshme janë intensifikuar pas rezultatit zgjedhor.
Përmes një postimi emocional, Mustafa ka kujtuar sfidat dhe përçarjet që, sipas tij, LDK-ja i ka përballuar ndër vite, duke theksuar se partia ka mbijetuar edhe në periudhat më të vështira të historisë së saj.
“Duro LDK. Duro se gjithë ke duru. Duro se gjithë kemi me duru për Ty. Duro se gjithë kemi me luftu për Ty. Duro Mbretneshë si dje e sot, ashtu edhe nesër”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, Mustafa ka përmendur edhe sakrificën e brezave të tërë të veprimtarëve të LDK-së.
“Ne që jemi lind e rritë n’Ty, që kemi dhanë shpirt e jetë për Ty”, ka theksuar ai.
Besian Mustafa është djali i veprimtarit dhe intelektualit të njohur të LDK-së, Xhemail Mustafa, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili u vra në nëntor të vitit 2000 në Prishtinë.
Reagimi i Mustafës vjen në kohën kur brenda LDK-së janë shtuar kërkesat për reflektim pas zgjedhjeve, ndërsa një pjesë e zyrtarëve të partisë kanë dalë në mbështetje të Abdixhikut dhe kundër përçarjeve të brendshme.



