
Ish-ambasadorja thotë se përjetimi i drejtpërdrejtë i luftës e bën të dhimbshëm leximin e aktakuzës ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Vlora Çitaku ka deklaruar se takimet me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës përbëjnë nderin më të madh të jetës së saj. Ajo ka thënë se pikërisht kjo përvojë personale e bën të ndiejë frustrim të thellë sa herë që lexon aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në emisionin “Jehona Politike”, Çitaku ka kujtuar periudhën e luftës, duke theksuar se ka pasur mundësinë t’i takojë ushtarët e UÇK-së në male, si dhe gjatë punës me gazetarë të huaj dhe me misionin verifikues të OSBE-së.
“Unë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kam pasur nderin e jetës që t’i takoj në male, dhe kur kam punuar me gazetarë të huaj, e me misionin verifikues të OSBE-së”, ka deklaruar ajo.
Sipas Çitakut, përjetimi i drejtpërdrejtë i luftës e bën të vështirë të kuptueshme përmbajtjen e aktakuzës. “Duke qenë dikush që ka qenë aty vetë dhe e ka pa me sytë e vet luftën, nuk mund ta imagjinosh sa frustruese është kur e lexon aktakuzën e Prokurorisë Speciale”, është shprehur ajo.
Ajo ka theksuar se ushtarët e UÇK-së, djem e vajza të rinj, kishin vetëm guximin dhe dëshirën për liri. “Ata djem e ato vajza atëherë, krejt çka kanë pasë, ka qenë një zemër e madhe dhe një guxim i pashoq për të ëndërru lirinë”, ka përfunduar Çitaku.



