Çka ndodhi më 22 janar 1998 në familjen Jashari në Prekaz?

Gjithçka ndodhi shumë shpejt, për rreth gjysmë ore. Më 22 janar 1998, herët në mëngjes, një njësit special i policisë serbe i përzier me një grup vullnetarësh paraushtarakë, kreu një aksion sulmues ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit, në fshatin Prekaz i Poshtëm në komunën e Skenderajt. Shënjestra ishin dy bijtë e Shabanit: Hamza dhe Ademi, kurse qëllimi i këtij aksioni ishte arresitmi ose likuidimi fizik i tyre. Përtej kësaj, me këtë aksion synohej edhe një lloj testimi i reagimit të këtyre njerëzve, i aftësive reaguese të grupit të cilit i takonin ata, pra organizatës Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për metodat e përdorura prej saj përmes policisë në Kosovë.

Shkruan: Durim Abdullahu

banner

Një natë më parë, mbrëmjen e 21 janarit, në Prekaz por edhe në Skenderaj, aty rreth mesnatës, ishte ndërprerë energjia elektrike por edhe linjat telefonike, ani pse instalimi elektrik i linjave telefonike ishte i veçantë nga ai i energjisë elektrike për vendbanime. Kosova e viteve ’90 të shekullit XX, ishte një nga vendet më të pasigurta në tërë Evropën. Ato vite, konsiderohej tejet e rrezikshme të qarkulloje në rrugë apo kudo jashtë gjatë natës dhe njerëzit bënin shumë kujdes kur lëviznin. Disa thonin që lufta tashmë kishte filluar, dikush besonte se lufta ishte e pashmangshme por që ende nuk kishte filluar, kurse disa të tjerë besonin që lufta duhej shmangur me patjetër, sepse ajo nuk mund të ishte zgjidhje për çështjen e Kosovës.  

Prej kur ia kishte suprimuar autonominë si krahinë në kuadër të Jugosllavisë më 23 mars 1989 dhe deri në fund të vitit 1991, Serbia e kishte instaluar në Kosovë një regjim apartheidi, me politika të qarta segregimi, ku qasja dhe sjellja e shtetit ndaj qytetarëve të vet, varej nga përkatësia etnike e tyre. Policia serbe ndalonte, arrestonte, burgoste, torturonte, zhdukte dhe vriste qytetarë shqiptarë vetëm për shkak të të qenit shqiptarë, pa i dhënë askujt përgjegjësi. Në të vërtetë, kjo ishte politikë zyrtare e shtetit serb në Kosovën e pushtuar prej saj. Qeveria në Beograd, përmes institucioneve të saj të policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të fshehta në Kosovë të cilat i përdorte në mënyrë krejtësisht arbitrare, ushtronte dhunë dhe kryente krime shtetërore ndaj shqiptarëve vazhdimisht. Kosova e atij dhjetëvjetësi, ishte një nga vendet me nivelin më të lartë të shkeljeve dhe dhunimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Për të krijuar një përfytyrim, le t’i referohemi buletineve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), sipas të cilëve, gjatë muajit janar 1998, në Kosovë ishin regjistruar: 3 shqiptartë të vrarë; 5 të plagosur (3 femra dhe 2 meshkuj); 54 ndalime arbitrare; 80 arrestime arbitrare; 11 biseda informative; 27 persona të ftuar në polici; 33 raste lëndimesh trupore; 17 femra të keqtrajtuara në mënyra të ndryshme; 11 aktivistë politikë të keqtrajtuar; 4 arsimtarë të keqtrajtuar; 3 fëmijë të keqtrjtuar; 2 gazetarë të keqtrajtuar; 101 persona të torturuar fizikisht; 5 thirrje për rekrutim në Armatën e Jugosllavisë; 2 pasaporta të konfiskuara; 1 person i zhdukur; 80 raste bastisjesh; 1 rast i ndërhyrjes së policisë në shkollë; 2 persona të marrë peng; 5 persona të kidnapuar; 20 raste plaçkitjesh.

Por një ngjarje e veçantë e atyre ditëve, do ta vendoste Kosovën në hartën historike të ngjarjeve më të rëndësishme në Evropë gjatë janarit 1998. Edhe sot, po të kërkoni në Google apo ta pyesni Inteligjencën artificiale për ngjarjet kyçe në kontinentin evropian në muajin janar të vitit 1998, aksioni i 22 janarit ndaj familjes Jashari në Prekaz, do t’ju rezultoj në krye të tabelës kronologjike.   

Djali i vogël i Shabanit, Ademi, 42 vjeçar, kishte shkuar mysafir te dajët e tij në familjen Geci në fshatin Llaushë, ku edhe do të buante atë natë. Që nga fundi i vitit 1991, Adem Jashari ishte një nga njerëzit më të kërkuar në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit. Angazhimi i tij i fuqishëm dhe koherent për organizimin e një lufte të armatosur me qëllim çlirimin e Kosovës nga Serbia, për autoritetet serbe konsiderohej një veprimtari terroriste. Aktiviteti ushtarak i Adem Jasharit, e grupit të tij dhe e grupeve të UÇK-së, zyrtarisht konsiderohej si cënim i rendit kushtetues dhe juridik të Jugosllavisë, federatës dikur socialsite e cila brenda katër vitesh, nga mesi i vitit 1991 deri më 1995, i ishin shkëputur me luftë tre republika: Sllovenia, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Për shqiptarët ishte e qartë që radha ishte e Kosovës dhe se shkëputja e saj prej Jugosllavisë, mund të arrihej vetëm përmes luftës.

Kështu, për shkak të aksioneve të tij me bashkëluftëtarë kundër policisë jugosllave, vetëm gjashtë muaj më parë, më 11 korrik 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar Adem Jasharin në mungesë me 20 vite burgosje, në një proces gjyqësor ku ishin dënuar edhe 14 persona të tjerë, 11 prej tyre në mungesë. Pas kësaj, që nga vera e vitit 1997, shtëpitë e familjes së Shaban Jasharit vëzhgoheshin 24 orë nga një kamerë e instaluar nga policia serbe në majen e pirgut të një rezervuari uji që lartohej rreth 400-500 metra në distancë ajrore. Ai ishte brenda oborrit të fabrikës së municionit të gjuetisë në Skenderaj, e cila prej kur e kishte pushuar aktivitetin e saj prodhues diku në vitin 1994 apo 1995, gradualisht ishte kthyer në një lloj baze policore. Pikërisht nga aty do të drejtohej dhe ekzekutohej aksioni i 22 janarit, pasi që gjatë ditëve paraprake, ishin parë forca dhe pajisje policore duke u stacionuar brenda fabrikës.

Raportet e KMDLNJ-së, kanë regjistruar njoftimet e qytetarëve që natën e 20 janarit, në Zveçan ishin parë Arkani dhe kapetan Dragani, dy liderë të njohur të grupeve kriminale paraushtarake serbe që kishin kryer krime lufte në Bosnje dhe gjithandej nëpër Jugosllavi. Ndonëse e pakonfirmuar plotësiht, burimet e kohës ofrojnë indikacione që aksioni i 22 janarit ndaj familjes Jashari në Prekaz, është kryer nga paraushtarakët e grupit kriminal “Tigrat e Zi”, i cili komandohej nga Arkani, nofka me të cilën njihej Zheljko Razhnjatoviq. Në vitet ’70 dhe ’80, Arkani ishte një nga personat më të kërkuar nga Interpoli, për aktivitetin e tij kriminal të dirixhuar edhe nga shërbimet e fshehta jugosllave. Siç besohej, ai kishte qenë i përfshirë drejtpërdrejt edhe në atentatin e 17 janarit 1982 në Shtutgart të Gjermanisë, ku ishin vrarë aktivistët e shquar politikë Jusuf Gërvalla me vëllain e tij Bardhoshin dhe Kadri Zekën. Lideri i njohur dhe truri lëvizës i orgnizatave të fshehta politike shqiptare, Jusuf Gërvalla, kishte patur një njohje në Gjermani edhe me Rifat Jasharin, djalin e madh të Shabanit.

Dita e 22 e janarit të vitit 1998, ishte dita e 23 e muajit Ramazan, për myslimanët, muaji i shenjtë gjatë të cilit agjërohet gjithë ditën, nga mëngjesi deri në darkë. Rrjedhimisht, agjërimi në Ramazan i përcaktonte tërësisht oraret e organizimit të jetës së përditshme gjatë 30 ditëve të muajit. Aq më tepër në një familje të gjerë sikur ishte familja e Shaban Jasharit, që atë kohë i kishte 30 anëtarë gjithsej dhe ku jeta organizohej sipas traditive tipike shqiptare, që e bënte familjen një strukturë sociale me një lloj ekonomie shtëpiake.

Atë ditë të enjte të 22 janarit 1998, vakti i syfyrit duhej të përfundonte pak para orës 5 të mëngjesit. Pa drita nga ndërprerja e rrymës elektrike, në familjen Jashari sapo ishte ngrënë vakti i syfyrit dhe të gjithë ishin kthyer për të fjetur. Kryefamiljari Shabani ishte kthyer në odë ku ai do të flinte bashkë me tre nipat e tij dhe me një një nip të tij, Bajram Gashin nga fshati Rezallë, që i kishte mysafir atë natë. Para se të flinte, Shabani kishte marrë abdes për lutjen e mëngjesit, por teksa po e fshinte ujin nga duart dhe këmbët, ai dërgjoi rrapëllima dhe krisma armësh në oborr dhe drejt shtëpisë së tij. Ora ishte 05:25.

Fillimisht u hodhën tri predha, njëra prej të cilëve e qëlloi murin e jashtëm me tulla të ahurit, tjetra i qëlloi dyert e odës, kurse predha e tretë ra në oborr. Të tjera predha dhe rafalle të zgjatura armësh automatike qëlluan gjithandej nëpër muret e jashtme të oborrit dhe shtëpive dhe nëpër tavanet e brendshme të korridoreve, duke depërtuar muret dhe dritaret deri brenda dhomave.

Tre nipat e Shabanit, Fitimi 17 vjeçar, djali i Ademit së bashku më vëllain e tij 13 vjeçar, Kushtrimin, si dhe djali i Hamzës, Besimi, 16 vjeçar, i kishin përgatirur shpejtë armët që i kishin në odë dhe bashkë me gjyshin e tyre ishin pozicionuar për të rezistuar. Ndërkaq brenda në shtëpi, Hamza gjithashtu e kishte marrë armën e tij AK-47 kallashnikov dhe disa bomba dore për të rezistuar. Kur vajza e tij 20 vjeçare, Selvetja, e cila ishte në katin e dytë, u nis të zbriste poshtë për t’i qetësuar fëmijët që kishin nisur të qanin, një plumb e qëlloi në shpinë. Atëherë, Ilirjana 25 vjeçare, e bija e Rifatit u afrua t’i ndihmonte, por edhe atë e qëlloi një plumb në kyçin e dorës së majtë, ku fatmirësisht ora e dorës ia amortizoi plumbin. Gjatë kësaj kohe, Hamza kishte nisur të shtinte nga dritaret dhe shtëpisë dhe pasi kishte hedhur bomba dore, policët ishin zmbrapsur nga ana e sipërme e oborrit.

Ndërkohë, në odë, Shabani dhe nipat kishin pritur duke u ruajtur, derisa forcat serbe ishin afruar për tu future brenda në odë. Atëherë Shabani së bashku me Fitimin, Besimin dhe Kushtrimin kishin nisur të shtinin në drejtim të policëve dhe paraushtarakëve që i kishin rrethuar. Në një moment, teksa po shtinte nga dirtarja e odës në eerrësirë duke ndjekur xixat e plumbave të serbëve, Shabanit iu bllokua kallashnikovi. Por nipat e tij e zhbllokuan shpejtë duke shikuar në dirtën e zjarrit të stufës. Kështu dëshmoi më pas Bajram Gashi, nipi i familjes të cilit në bisedë e sipër, një natë më parë, i kishte thënë Hamza: “Unë e di mirë që ne jemi në thumb dhe kurdoherë që të kenë mundësi ata do t’na sulmojnë me tërë fuqinë, për t’na shkatërruar dhe për t’na zhdukur nga faqja e dheut. Por, ne kemi vendosur që tu kundërvihemi dhe të bëjmë rezistencë deri në vdekje, me të gjithë anëtarët e familjes dhe kurrsesi të gjallë mos tu bijmë në dorë dhe aspak nuk ua kemi frikën atyre.”           

Në një prononcim të për gazetarin e gazetës “Bujku”, Sabit Istogu, po më 22 janar, vet Shaban Jashari do të rrëfente: “Djemtë i kam jashtë, njëri prej tyre, Ademi, është dënuar 20 vjet në mungesë. Ma merr mendja se kjo është bërë shkaku i djemve, por edhe pse jemi shqiptarë. Derisa i kanë thyer dyert e kanë shtirë prej së largu, kam pritur dhe nuk kam reaguar, por kur e pashë se janë ma rrënojnë shtëpinë dhe m’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes, kam nisur të shtie. Gjithkush do ta mbronte pragun e vet.”

Pas rezistencës së Shabanit me nipa dhe të Hamzës, rreth orës 06:05, forcat serbe u tërhoqën në drejtim të fabrikës së municionit. Me sa u kuptua më pas nga ndihma mjekësore e kërkuar në ambulancën e Skenderajt, të paktën një polic ishte plagosur më rëndë. Por gjatë tërheqjes, rreth orës 06:00, policia e kishte qëlluar për vdekje Hysen Nezir Mangjollin, 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skenderaj, ku punonte si roje. Gjithashtu, policia e rrëmbeu Idriz Rexhep Idrizin, 45 vjeçar nga Prekazi dhe pasi e morën me vete në fabrikë të municionit e zhdukën. Ai ka mbetur i zhdukur që nga atëherë. Kurse dy ditë më pas, më 24 janar, Hysen Mangjolli u varros në Mikushnicë, me pjesëmarrjen e mbi 20 000 njerëzve. 

Selvetja dhe Ilirjana që ishin plagosur, do të mjekoheshin gjatë ditëve në vijim nga stafe mjekësore por në kushte shtëpie. Ilirjana do t’i mbijeonte edhe luftës, kurse Selvetja do të vritej gjashtë javë më pas, bashkë me 19 anëtarë të tjerë të familjes së Shaban Jasharit, gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998. 

Gjatë sulmit të 22 janarit 1998, nga predhat e rëna në ahurin e fermës së familjes Jashari, u vranë dy buallica, kurse u plagos një buall dhe një qen.

Në ditët që pasuan 22 janarin, dhjetëra ekipe gazetarësh të mediave vendore dhe ndërkombëtare, do ta vizitonin familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, duke fotografuar si dhe duke regjistruar intervista dhe videoincizime të shumta, të cilat sot kanë një vlerë të jashtëzakonshme si burime primare historike për studimin e ngjarjeve të 22 janarit 1998, por edhe të gjithë historisë së familjes Jashari.

Në to, Zahide Jashari, gruaja e Shabanit do të rrëfente shkurtimisht kështu: “Ishim duke u bërë gati të flejmë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja.” Kurse burri i saj, Shabani, në një intervistë për një televizion austriak, do të shprehej: “Edhe na këtu kemi lé, këtu kemi me vdekë, nuk kemi ku me shku. Kemi me luftu sa tmujm’ edhe kur vjen vdekja, vdesim edhe udha e mbarë na koftë!”

Radioja shtetërore serbe do të njoftonte që në fshatin Prekaz i Poshtëm, “terroristët shqiptarë provuan të kryejnë edhe një aksion kundër policisë serbe”, por që sipas saj, “pas intervenimit të forcave policore, terroristët janë tërhequr në drejtim të fshatit Prekaz, ku nga shtëpia e Shaban Jasharit i bënë rezistencë të armatosur policisë serbe”.

Korrespodenti nga Skenderaji i gazetës serbe “Jedinstvo”, do të shkruante që si hakmarrje për aksionin e policisë në Prekaz, pjesëtarët e UÇK-së, e vranë më 23 janar 1998, Desko Vasiqin, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvenditt ë Komunës së Zveçanit.

Gjatë gjashtë javëve pasuese, nga sulmi i 22 janarit deri te sulmi i 5 marsit 1998, një mori ngjarjesh rreth familjes Jashari në Prekaz, do ta shenjojnë historinë e kësaj familje dhe të rezistencës së saj. Më 11 shkurt 1998, Bashkim Jashari, djali i Rifatit, do të konfrontohej i armatosur me disa policë serbë që tentuan ta arrestonin në Skenderaj. Kurse më 22 shkurt, nga pirgu i rezervaurit të ujit të fabrikës së municionit, policët serbë do të qëllonin me pushkë me snajper në drejtim të Hamëz Jasharit, kur ai po hynte në odë.

Me gjithë namin e fituar, familja Jashari ende nuk ishte shumë e njohur realisht në publikun e gjerë në Kosovë. Rezistenca e armatosur dhe sakrifica e kësaj familje veçanërisht pas 5 marsit 1998, do të kthehej në nyje për njohjen e tërë historisë së shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre për çlirim!

(Ky shkrim është bërë në kujtim të ngjarjeve të 22 janarit të vitit 1998 në Prekaz, 28 vite më pas, më 22 janar 2026).

Fotografia: Sefer Aliqkaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.