
Ekonomisti Dardan Sejdiu ka kritikuar ashpër pakon e fundit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove, duke e cilësuar atë si përpjekje për blerje votash para zgjedhjeve.
“Kur, 15 ditë para zgjedhjeve, shpërndan para publike me vendim qeverie, kjo nuk është kujdes për qytetarin. Kjo është blerje e votës me paratë e qytetarit”, shkroi Sejdiu.
Ai tha se paratë që po shpërndahen vijnë nga taksat dhe puna e qytetarëve.
“Po vijnë nga puna juaj. Nga taksat tuaja. Nga bizneset tuaja. Nga djersa juaj”, deklaroi ai.
Sipas Sejdiut, qeveria ka dështuar në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia dhe ekonomia.
“A është shëndetësia më mirë? Jo. Sot qytetari paguan privatisht për ato që shteti duhet me ia siguru”, u shpreh ai.
Ai kritikoi edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mungesën e mbështetjes për prodhuesit vendorë.
“A janë faturat e rrymës më të drejta? Jo. Përkundrazi, qytetari paguan më shumë”, tha Sejdiu.
Në fund, ai tha se Kosova nuk ka nevojë për “pako paniku” para zgjedhjeve, por për qeveri që punon për zhvillim afatgjatë.



