Daut Haradinaj: Osmani po i bën shërbime Kurtit, mandatimi i Konjufcës u bë pa konsultime reale

Deputeti i AAK-së thotë se presidentja po vepron në favor të Kurtit për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve deri në fund të vitit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka akuzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, se po vepron në shërbim të kryeministrit Albin Kurti. Ai ka thënë se vendimi i saj për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë është bërë në koordinim me Kurtin dhe pa konsultime të mirëfillta me partitë opozitare.

“Sipas veprimeve të saj, është e qartë se është në vijë me Kurtin. Pasi e mandatoi Glaukun, i ftoi shefat e partive tjera për konsultime. Në takimin e fundit kanë thënë se duan zgjedhje dhe ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim, situata është e njëjtë,” ka deklaruar Haradinaj në Klan Kosova.

Deputeti i AAK-së shtoi se Osmani e ka ndihmuar Kurtin duke i krijuar hapësirë për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Ajo bëri një shërbim për Kurtin, i cili pretendon që vendi të shkojë në zgjedhje në fund të këtij viti. Nuk e di nëse u konsultua me partitë para se të mandatonte apo kërkoi nga Kurti nëse i ka numrat,” ka shtuar ai.

Deklarata e Haradinajt vjen pas vendimit të presidentes Osmani për t’ia dhënë mandatin Glauk Konjufcës, propozim i ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, vendim që ka shkaktuar reagime të ndryshme në skenën politike.

Back to top button