
Eksperti amerikan për Ballkanin thotë se ngërçi politik në Kosovë nuk pritet të ndryshojë as pas zgjedhjeve të reja, duke bërë thirrje për maturi dhe përgjegjësi kombëtare.
Eksperti amerikan për Ballkanin dhe profesori i njohur universitar, David Phillips, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Në një prononcim për Front Online, Phillips tha se shqiptarët janë të njohur për kokëfortësinë, dhe se sa më gjatë të zgjasë ngërçi politik, aq më e vështirë bëhet gjetja e një zgjidhjeje.
“Shqiptarët janë të njohur për kokëfortësinë e tyre. Sa më gjatë të zgjasë kjo ngërç, aq më e vështirë do të jetë të arrihet një zgjidhje,” deklaroi ai.
Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, eksperti amerikan theksoi se balanca aktuale e pushtetit në Kosovë nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm rezultatin politik.
Sipas tij, është koha që si qytetarët, ashtu edhe udhëheqësit politikë, të tregojnë më shumë maturi dhe të veprojnë në interesin kombëtar.
Phillips apeloi që klasa politike kosovare të tejkalojë përçarjet dhe të fokusohet në stabilitet, dialog dhe zhvillim institucional, si parakushte për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.



