
Debatet kanë vijuar me tone të ashpra në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, ku janë përplasur deputeti Ervin Salianji me liderin e opozitës, Sali Berisha, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka.
Shkak për tensionet është bërë nisma e ndërmarrë nga Salianji për të zhvilluar takime në mbarë vendin me qëllim riorganizimin e strukturave të PD-së, veprim që ka ngjallur kundërshti brenda drejtimit të partisë.
Sipas burimeve nga mbledhja, Salianji i është drejtuar Berishës duke pyetur se cili nen i statutit ua ndalon anëtarëve të kryesisë të takojnë anëtarësinë e partisë.
“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar, jo përjashtuar. Nuk duhet të sillemi si PS-ja; kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, ka deklaruar Salianji.
Ai ka vijuar kritikat duke iu drejtuar Nokës dhe Berishës: “Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”.
Nga ana tjetër, Flamur Noka i është përgjigjur Salianjit me akuza, duke i thënë: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”.
Reagimi i Salianjit ka qenë i ashpër, duke i kërkuar Nokës dorëheqjen: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.
Përplasjet tregojnë tensione të thella brenda Partisë Demokratike, në një moment kur opozita synon riorganizimin dhe përballjen me qeverinë.



