
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime në Kosovë.
Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, tha se deklarata dëshmon se Serbia nuk është shkëputur nga ideologjia e regjimit të Millosheviqit.

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai shtoi se kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga “ideologjia gjenocidale e Millosheviqit”.
Reagim ka bërë edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili vlerësoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.
“Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë”, thuhet në reagimin e IKKL-së.
Instituti theksoi se përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon, ndërsa nënvizoi se vazhdon dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.



