
Shkruan: Kosovar Doqi
Rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)

LDK-ja, si partia më e vjetër në Kosovë, shpesh është përballur me sfida të ndryshme, si ndarje, përçarje, largime dhe vështirësi të tjera. Megjithatë, ajo që e dallon një parti të madhe është aftësia për t’u konsoliduar shpejt dhe për ta rimarrë veten, nëse jo gjithmonë në aspektin zgjedhor, atëherë të paktën në aspektin organizativ dhe funksional.
Këtë e dëshmuan edhe dy vitet e fundit, kur pati iniciativa për votëbesim dhe, së fundmi, për shkarkimin e kryetarit si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të fundit. Jo për habi, si çdo herë, këto procese zgjuan interesim të madh te aktorët politikë, mediat dhe qytetarët.
Pasi u përmbushën kushtet për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, me pikën e vetme të rendit të ditës – shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, dje u mbajt ky kuvend. Në pamje të parë, ishte një organizim i mirë, demokratik dhe vendimmarrës për të ardhmen e LDK-së. Në të morën pjesë delegatë nga të gjitha degët e LDK-së në mbarë Kosovën. Pra, aty vendosi demokracia.
Nuk kishte rrugë tjetër: ose kryetari do të shkarkohej, ose do ta vazhdonte mandatin e tij të paktën deri në zgjedhjet e rregullta të vitit 2027. Me 169 vota pro, kryetari Abdixhiku arriti t’i mbijetojë edhe këtij votimi. Edhe pse 152 delegatë votuan për shkarkimin e tij, vendimi i shumicës është thelbi i demokracisë, e cila përcakton se cila iniciativë ecën përpara.
Rezultati u pranua nga të gjithë. Edhe ata që e iniciuan këtë proces e pranuan vendimin në mënyrë demokratike, ndërsa edhe ata që dolën fitues u treguan të përmbajtur. Në fund të fundit, ky është thelbi i demokracisë: fiton ai që siguron shumicën.
Me këtë proces, LDK-ja tregoi se është vite dritë më demokratike sesa shumica e partive të tjera në Kosovë. Madje, mund të konsiderohet ndër partitë më demokratike edhe në Ballkanin Perëndimor.
Ky rezultat nuk duhet të shihet as si humbje për palën iniciuese, e as si fitore për palën tjetër. Përkundrazi, ai duhet të shërbejë si pikënisje për bashkim dhe për kapitalizimin e këtij procesi në funksion të konsolidimit të mëtejmë të partisë dhe forcimit të saj për garat e ardhshme zgjedhore.
Ata që kërkuan shkarkimin e kryetarit Abdixhiku nuk duhet të shihen si kundërshtarë. Secili ka të drejtë të jetë i pakënaqur me rezultatin zgjedhor dhe të kërkojë llogari brenda organeve të partisë. Po ashtu, edhe ata që fituan duhet të tregohen racionalë dhe ta shndërrojnë ndarjen mes “atyre” dhe “këtyre” në një “ne” të përbashkët. Mendimet e ndryshme janë të natyrshme dhe të nevojshme, sepse pikërisht ato e forcojnë partinë dhe demokracinë e brendshme.
Megjithatë, nuk duhet të ketë ndarje të mëtejshme, pasi edhe elektorati aktual i LDK-së përbëhet nga votues që në të njëjtën listë kanë votuar si për Abdixhikun, ashtu edhe për zonjën Bajrami apo z. Hoti. Prandaj, është me rëndësi që këto procese demokratike të shndërrohen në një mundësi për normalizimin e marrëdhënieve brenda partisë dhe për bashkimin e saj.
Ajo që mbetet e padiskutueshme është se LDK-ja vazhdon të jetë një ndër partitë më demokratike në Kosovë, ndonëse, si çdo subjekt politik, ka mangësitë dhe sfidat e veta. Në përgjithësi, zhvillimet e fundit treguan se më e rëndësishmja është që në këto procese të fitojë demokracia. Ndërsa LDK-së i mbetet të vazhdojë dialogun e brendshëm, reformat dhe hapjen ndaj njerëzve të rinj, në mënyrë që të krijojë parakushtet për të qenë një forcë vendimtare dhe konkurruese edhe në zgjedhjet e ardhshme.



