
Drejtori i qumështores “VITA”, Lekë Sahatçiu, ka deklaruar se kompania që ai drejton është plotësisht e hapur ndaj kontrolleve të institucioneve, duke kërkuar njëkohësisht transparencë në procesin e inspektimeve.
Në një konferencë për media, Sahatçiu tha se rreth 50 për qind e fermerëve të Kosovës e dorëzojnë qumështin për përpunim në fabrikën “VITA”, duke theksuar se qumështi që vjen nga fermerët është cilësor.
“Statistikisht, 50 për qind e fermerëve të Republikës së Kosovës sjellin qumësht te ne dhe ne e grumbullojmë qumështin e tyre”, tha ai.
Sahatçiu hodhi poshtë pretendimet se kompania ka pasur hezitim ndaj kontrolleve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Kjo është tërësisht e pavërtetë. Gjithmonë jemi në koordinim me AUV-në dhe çdo institucion tjetër kompetent. Gjithmonë kemi bashkëpunuar me ta dhe vazhdojmë të bashkëpunojmë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se “VITA” është e gatshme për çdo nivel kontrolli, madje edhe për praninë e përhershme të inspektorëve në fabrikë.
“Nëse është e nevojshme nga AUV-ja apo nga çfarëdo institucioni tjetër kompetent, le ta hapin një zyrë në fabrikën e ‘VITA’-s. Aq transparent e kemi procesin dhe nuk kemi asgjë për të fshehur”, deklaroi Sahatçiu.



