
Përfaqësuesit e partive boshnjake, turke, ashkalinje dhe serbe jashtë Listës Serbe konfirmojnë mbështetjen për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka dalë fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dielës, duke iu afruar 50 për qindëshit të votave. Me 56 mandate të fituara, LVV-ja ka siguruar një avantazh të dukshëm ndaj partive opozitare, ndërsa PDK, LDK dhe AAK së bashku kanë arritur rreth 45 ulëse në Kuvend. NISMA Socialdemokrate nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Ndryshe nga zgjedhjet e 14 shkurtit, këtë herë Vetëvendosje pritet ta formojë më lehtë Qeverinë e re, falë mbështetjes së subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet joserbe. Drejtuesit e këtyre partive kanë shprehur hapur gatishmërinë për t’ia dhënë votat e tyre Albin Kurtit për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Përfaqësuesja e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi, ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, duke theksuar se kanë qenë partnerë qeverisës që nga “Kurti 1”. Ajo u shpreh e kënaqur me rezultatin zgjedhor të LVV-së, duke shtuar se ky rezultat e lehtëson formimin e institucioneve pa kushte politike nga palë të tjera.
Edhe Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka deklaruar se ekzistojnë gjasa reale për bashkëpunim me qeverinë e ardhshme të drejtuar nga Kurti, duke kujtuar bashkëpunimin e deritanishëm me Vetëvendosjen.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, ka konfirmuar se KDTP do ta mbështesë Qeverinë “Kurti 3” me dy vota në Kuvend, ashtu siç kishte vepruar edhe në mandatin e kaluar qeveritar.
Ndërkohë, Artan Asllani nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka bërë të ditur se subjekti i tij ka siguruar një vend të rezervuar në Kuvend dhe se do ta votojë pa dilemë Qeverinë e re. Ai theksoi se, sipas Kushtetutës, komunitetet joserbe duhet të jenë pjesë e pozitës dhe të marrin përgjegjësi në qeverisje.



