
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka deklaruar se partia e saj nuk do të japë votë pa kushte për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Në një intervistë për Tëvë1, Hoxha tha se PDK-ja nuk do të bjerë pre e presionit të Lëvizjes Vetëvendosje për të votuar “blanko” kandidatin që propozon Albin Kurti.

“Një gjë është e qartë: votë blanko vetëm për shkak të presionit që partitë opozitare duhet patjetër ta votojnë këdo që dëshiron Kurti, nuk do të ketë”, deklaroi ajo.
Hoxha u shpreh optimiste se një qëndrim të tillë do ta mbajnë edhe partitë e tjera opozitare.
“Besoj asnjë parti opozitare nuk do ta bëjë këtë, sepse ne nuk jemi makina të lëvizjeve të dorës së dëshirave të Kurtit në Kuvend. Ne kemi një besueshmëri ndaj njerëzve që kanë bindje dhe ide të tjera për shtetin dhe duhet t’i përfaqësojmë ato në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoxha.



