Enver Hasani: Mandatimi i Glauk Konjufcës është abuzim me pushtetin dhe shkelje kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese e cilëson veprimin e presidentes Vjosa Osmani si lëvizje politike të përllogaritur me Albin Kurtin, duke thënë se ajo duhej të caktonte datën e zgjedhjeve të reja.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për ta mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re, duke e cilësuar këtë lëvizje si “fund e krye politike” dhe “abuzim me pushtetin”.

Në një intervistë për Gazetën Express, Hasani tha se shefja e shtetit ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, pasi – sipas tij – duhej të caktonte datën e zgjedhjeve të reja pas konsultimeve me partitë politike.

“Nëse partitë opozitare, që përfaqësojnë 63 deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë se nuk duan të formojnë qeverinë e re, atëherë Presidenti i Republikës ka pasur për detyrë caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, meqë LVV nuk mund të arrijë votat e duhura, siç e thotë vetë shefi i kësaj partie,” tha Hasani.

Sipas tij, dhënia e mandatit një personi për të cilin dihet se nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë përbën shkelje kushtetuese dhe abuzim me pushtetin.

Hasani shtoi se presidentja Osmani nuk ka ndjekur kriteret ligjore e kushtetuese që duhej të ndiqte në këtë proces, por është udhëhequr nga “bindjet subjektive” dhe përllogaritjet politike.

“Mandatimi i Konjufcës është bërë bazuar në përllogaritje politike të Vjosa Osmanit, që vetëm ajo i di,” theksoi ai.

Back to top button