Fatmir Limaj pas nominimit të Konjufcës: Kosova në ngërç institucional, zgjidhja janë zgjedhjet e reja

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate kërkon nga Presidentja Vjosa Osmani që të respektojë realitetin politik dhe të shmangë zvarritjet që po rrezikojnë funksionimin demokratik të shtetit.

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas nominimit të Glauk Konjufcës si mandatar i dytë për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar situatën aktuale në vend si një ngërç të paprecedentë institucional.

Limaj ka theksuar se ky bllokim është pasojë e mungesës së shumicës parlamentare dhe e përpjekjeve për zgjatje të pushtetit pa legjitimitet.

“Sot Kosova ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional për shkak të mungesës së shumicës dhe përpjekjeve për ta zgjatur pushtetin pa bazë demokratike,” ka deklaruar Limaj, sipas raportimit të GazetaBlic.

Ai ka shtuar se në takimet me Presidenten Vjosa Osmani, të gjitha partitë politike kanë konfirmuar se në Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare, dhe për këtë arsye zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.

Limaj i ka bërë thirrje Presidentes që të respektojë vullnetin politik të partive dhe qytetarëve, duke kërkuar që të shmangë çdo zvarritje të panevojshme, të cilat, sipas tij, “rrezikojnë funksionimin demokratik të shtetit”.

Ky reagim vjen në mesin e një vargu kritikash nga partitë opozitare ndaj përpjekjes së Lëvizjes Vetëvendosje për ta mandatuar sërish një kandidat të vetin për kryeministër, ndonëse pa shumicë të garantuar në Kuvend.

Back to top button