Ganimete Musliu: Albin Kurti po e luan viktimën, ai vetë e ka helmuar atmosferën politike

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për krijimin e klimës së urrejtjes dhe për përdorimin e propagandës denigruese gjatë gjithë karrierës së tij politike.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas deklaratës së këtij të fundit se “atmosfera politike në vend është helmuar nga xhelozia dhe inatet”.

Në një postim të saj, Musliu ka thënë se Kurti po “e luan viktimën” pas 26 vitesh karriere të bazuar, sipas saj, në kauza të rreme, fushata linçuese dhe propagandë denigruese.

“Pas 26 viteve të karrierës së tij në krye të kauzave të rrejshme, të kapanjave linçuese, të propagandës denigruese, paska thënë se na qenka helmuar atmosfera me xhelozi e inate. Shtrohet pyetja: kush e paska helmuar atmosferën deri në këtë pikë?”, ka shkruar ajo.

Musliu ka akuzuar Kurtin se është vetë përgjegjës për tensionimin e situatës politike dhe shoqërore në Kosovë.

“Sipas saj, fajtori është vetë Albin Kurti, i cili nuk u mjaftua as kur pësuan katër persona, as kur Kosova kishte nevojë për stabilitet politik, e as kur brigadat e tij nuk lanë fyerje, shpifje, sharje e kërcënime pa bërë,” ka theksuar deputetja e PDK-së.

Ajo ka shtuar se Kurti “asnjëherë nuk është distancuar nga dhuna verbale e ndjekësve të tij, as me një fjalë të vetme dhe as me një gjest të vetëm”, duke e cilësuar atë si “fajtorin kryesor për helmimin e shoqërisë”.

Back to top button