
Kryetari i Guxo bën të ditur se partia e tij do t’i udhëheqë dy ministri dhe do të ketë tetë deputetë në Kuvend.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe njëherit Kryetar i partisë “Guxo”, Faton Peci, ka deklaruar se kjo parti do t’i udhëheqë dy ministri në qeverinë e ardhshme “Kurti 3”.
Sipas Pecit, një emër tashmë i pakontestueshëm në kabinetin e ri qeveritar është Donika Gërvalla, e cila pritet të emërohet Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë. Ai theksoi se Gërvalla ka qenë e paraparë për këtë pozitë edhe në dy qeveritë e mëparshme që nuk kishin arritur të votoheshin në Kuvend, me mandatarë Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.
“Ne e kemi njëfarë dakordimi në parim. Në prezentimin e kabinetit të ri në përpjekje, Kurti 3, emër i pakontestueshëm është Donika Gërvalla si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë. Minimalisht do ta kemi edhe një ministri tjetër, por që nuk dihet cila do të jetë ajo”, u shpreh Peci.
Ai bëri të ditur po ashtu se partia Guxo do t’i ketë tetë deputetë në Kuvend. Duke folur për zhvillimet e vitit 2021, Peci tha se atëkohë nga kampi i Lëvizjes Vetëvendosje nuk kishte pasur gatishmëri që Guxo t’i merrte dy ministri.
“Arsyeja pse më 2021 Guxo e ka marrë ministrinë e dytë, ka qenë emri im. Tash unë e di që ka qenë edhe një eksponent i VV-së aty në listë që ka qenë i pakënaqur që në moment të fundit nuk ka përfunduar ministër, gjë të cilën unë e kam kuptuar pas rreth dy vitesh. Por unë s’kam qenë as fajtor e as shkaktar i kësaj”, deklaroi Peci në Klan Kosova.



