
Procesi do të përfshijë paraqitjen e provave, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe procedura të tjera gjyqësore.
Gjykata Speciale ka njoftuar se seanca gjyqësore për veprën penale “kundër administrimit të drejtësisë” ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve, do të fillojë më 24 shkurt 2026.
Sipas njoftimit, gjatë këtij procesi do të bëhet paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe do të zhvillohen procedura të tjera administrative dhe gjyqësore.
“Më 22 dhjetor 2025, pas marrjes së parashtrimeve nga palët, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi udhëzime mbi zhvillimin e gjykimit në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, që është planifikuar të fillojë më 24 shkurt 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Tutje bëhet e ditur se udhëzimet përcaktojnë rregulla praktike për karakterin publik të procesit, nxjerrjen e dokumenteve, paraqitjen e provave, marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe aspekte të tjera procedurale, me qëllim garantimin e një gjykimi të drejtë dhe efikas.



