banner

Hamza pas vizitës në Washington: Kosova do të kthehet më e fortë se kurrë në partneritet me SHBA-në

Kryetari i PDK-së thotë se ka paraqitur vizionin për zhvillimin e vendit dhe rindërtimin e marrëdhënieve strategjike me administratën amerikane.

Kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka përfunduar një vizitë dyditore në Washington D.C., të cilën e ka cilësuar si thelbësore për paraqitjen e vizionit të tij për zhvillimin e Kosovës dhe për rindërtimin e partneritetit të thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

banner

Hamza ka thënë se agjenda e tij në kryeqytetin amerikan ka qenë intensive, duke përfshirë takime me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Ai ka njoftuar se ishte i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe Fellow pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë me politikëbërjen e administratës Trump. Në këtë takim, sipas Hamzës, morën pjesë edhe Anthony Kim dhe Max Primorack, figura të njohura në fushat e ekonomisë dhe sigurisë.

Hamza ka deklaruar se nga vizita është kthyer “jashtëzakonisht pozitiv”, duke vlerësuar se ekzistojnë mundësi të mëdha për bashkëpunim mes Kosovës dhe SHBA-së, veçanërisht pas një periudhe të vështirë që, sipas tij, ishte karakterizuar nga mungesa e komunikimit dhe pezullimi i dialogut strategjik.

Ai theksoi se Kosova do të kthehet në Washington “më e fortë se kurrë”, me projekte konkrete dhe investime të prekshme, si dhe me synimin për të përfshirë SHBA-në në zhvillimin e vendit në fusha kyçe, duke përfshirë diplomacinë, ekonominë, energjinë, sektorin e sigurisë dhe inteligjencën.

Back to top button