
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk përfaqëson askënd përveç liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në një intervistë për emisionin “Rubikon”, Haradinaj tha se, sikur të kishin qenë të informuar për shkrimet e Bashës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk do ta kishin mbështetur kandidaturën e tij për kryetar Kuvendi.
“Dimal Bashës i dolën edhe ato shkrimet famëkeqe kundër UÇK-së. Në fakt nuk kemi qenë të informuar, të paktën unë personalisht. Sikur ta dinim, nuk e kishim votu. Ai është kryetar Kuvendi i Albin Kurtit, ai nuk përfaqëson sen hiç, as vetveten, as familjen e tij”, tha Haradinaj.
Ai e cilësoi Bashën si “rrugaç” dhe theksoi se nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar Kuvendin e Kosovës përveç lidhjes së tij me Kurtin.
Deklaratat e Haradinajt vijnë pas zgjedhjes së Bashës në gusht me votat e AAK-së dhe kanë shkaktuar reagime të ndryshme në skenën politike kosovare, ku disa e mbështesin qëndrimin e tij duke theksuar rëndësinë e integritetit ndaj UÇK-së, ndërsa të tjerë e shohin si tensionim të institucioneve.



