
Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka kritikuar kundërshtimin e projektit të gazit amerikan, duke e cilësuar atë si një gabim strategjik me pasoja afatgjata për Kosovën.
Sipas saj, debati për gazin nuk është thjesht çështje energjetike, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, orientimin euroatlantik dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Moszgjedhja e gazit amerikan është refuzim i forcimit të kufirit strategjik të Perëndimit me Rusinë”, ka shkruar Haradinaj.
Ajo argumenton se energjia në botën e sotme është instrument i sigurisë kombëtare dhe i politikës së jashtme, duke përmendur shembujt e Polonisë, Lituanisë, Kroacisë dhe Rumanisë, të cilat, sipas saj, kanë investuar në projekte energjetike për të reduktuar varësinë strategjike.
Haradinaj thekson se Kosova ndodhet në vijën ku përballen interesat strategjike të Perëndimit dhe Rusisë përmes Serbisë, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë dhe atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit si dëshmi të sfidave të sigurisë.
“Kosova nuk duhet ta forcojë këtë kufi vetëm sepse këtë e këshillon Washingtoni. Duhet ta forcojë sepse këtë e kërkon interesi i saj shtetëror e kombëtar”, është shprehur ajo.
Në fund, Haradinaj kritikon qasjen e Qeverisë ndaj projektit, duke thënë se një shtet serioz nuk duhet të pyesë vetëm sa kushton një projekt sot, por edhe sa siguri prodhon ai për të ardhmen.



