Haxhiu: Qytetarët janë mashtruar dhe u është rrezikuar shëndeti – llogaridhënia nuk është opsionale

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar masa të menjëhershme ndaj operatorëve që kanë shkelur ligjin.

Haxhiu tha se analizat kanë zbuluar përdorim të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe hirrës pa u deklaruar në etiketa, si dhe përdorim të ujit të destinuar për ujitje në procesin e prodhimit.

banner

“Sot kjo nuk është më çështje teknike. Kur qytetari paguan për qumësht dhe merr diçka tjetër, ai është mashtruar. Kur në prodhimin e ushqimit përdoret ujë i papërshtatshëm, nuk flasim më vetëm për etiketë, por për shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, rasti bëhet edhe më i rëndë pasi industria e qumështit përfiton subvencione dhe mbështetje nga shteti, ndërsa konsumatorëve u ofrohen produkte që, sipas rezultateve të analizave, nuk përputhen me deklarimet në etiketa.

Haxhiu theksoi se janë dëmtuar edhe fermerët, të cilët dorëzojnë qumësht cilësor, ndërsa në produktet përfundimtare, sipas saj, shtohen përbërës më të lirë duke ruajtur të njëjtin çmim në treg.

Ajo kërkoi që produktet me shkelje kritike të tërhiqen menjëherë nga tregu, veprimtaritë pa autorizim të pezullohen dhe çdo rast që përmban elemente të veprës penale t’i referohet Prokurorisë.

“Kontrollet nuk duhet të ndalen vetëm te qumështi. Ato duhet të shtrihen edhe në sektorët e tjerë, sepse asnjë qytetar nuk duhet të hamendësojë se çfarë ka në gotën apo në pjatën e vet. Qytetarët duhet të hanë dhe të pinë atë për të cilën paguajnë”, ka përfunduar Haxhiu.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.