
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se pa rolin e PDK-së kriza politike nuk do të ishte tejkaluar në mënyrën se si është zgjidhur, duke e cilësuar situatën e re si një “momentum të ri” për Kosovën, shkruan KOHA.
Hoxhaj ka thënë se zgjidhja e krizës përmes mjeteve politike dhe dialogut përbën, sipas tij, një dëshmi të pjekurisë politike të vendit.
“Pa ne (PDK) kriza nuk do të tejkalohej në mënyrën se si u tejkalua. Prandaj është një momentum i ri për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai vlerësoi se zgjidhja e situatës politike përmes emërimit të një presidente që, sipas tij, ka profilin për ta ushtruar këtë detyrë, paraqet një kthesë për vendin.
Hoxhaj rikujtoi se Kosova kishte kaluar nëpër një periudhë të ndërlikuar politike, duke theksuar se kriza politike ishte shndërruar në krizë shtetërore dhe se institucionet ishin përballur me rrezikun e bllokimit.



