Ilir Deda: Ka bisedime mes partive për krijimin e qeverisë së re

Opinionisti thotë se sinjalet për diskutime kanë ardhur nga Presidenca dhe Kuvendi, duke kërkuar transparencë nga partitë politike.

Opinionisti Ilir Deda ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime mes partive politike për krijimin e një qeverie të re në Kosovë. Ai tha se këto sinjale kanë ardhur nga vetë institucionet shtetërore, përkatësisht nga Presidenca dhe Kuvendi.

“Neve na kanë paralajmëruar Vjosa Osmani dhe Dimal Basha, apo prej institucioneve që këta i udhëheqin, që diskutime ka. Diskutime mund të ketë çfarëdo, dhe parimisht s’ka problem nëse ka bisedime mes partive politike, por nuk duhet të bëhet sikur më 2014, e cila ka qenë një dramë shumë e madhe politike dhe e pati helmuar skenën politike,” ka deklaruar Deda në emisionin Rubikon.

Sipas tij, partitë duhet të dalin publikisht dhe të informojnë qytetarët në lidhje me këto zhvillime.

“Mendoj që është më së miri me dalë para opinionit publik dhe të tregohet që ndoshta kjo kishte me qenë fillimi i një periudhe të uljes së tensioneve dhe gjuhës së keqe politike që e kemi parë një kohë. Të shohim rezultatin këtë të diel se çka do të thotë kjo në realitet,” ka shtuar ai.

Deda përmendi edhe deklaratat e Lutfi Hazirit, i cili kishte thënë se “janë duke u zhvilluar diskutime për proceset në Kosovë” dhe se LDK-ja do t’i qëndrojë besnike fjalëve të veta.

“Ndoshta kish me qenë mirë që ne mos t’u japim shumë hapësirë bisedimeve që po ndodhin. Unë besoj që po ndodhin. Nuk dua të shkoj në spekulime se kush me kë,” ka përfunduar Deda.

Back to top button