Ilir Deda: Nëntë muaj u humbën për të arritur aty ku dihej se ishte… tek 56 votat

Analisti kritikon mënyrën si u menaxhua procesi politik dhe thotë se zgjedhjet e reja duhet të sjellin llogaridhënie e drejtim të ri.

Analisti politik Ilir Deda ka reaguar pas dështimit të votimit të Qeverisë së re, duke thënë se Kosova ka humbur nëntë muaj për të arritur në një rezultat që dihej qysh më 10 shkurt: tek 56 votat në Kuvend. Ai kritikoi ashpër lojërat politike që, sipas tij, e kthyen fitoren në humbje.

“Kujt ia pat gjithë ky vend borxh të humb kaq shumë për lojërat e këtyre që fitoren e shndërruan në humbje?”, shkroi Deda, duke vlerësuar se premtimi se Vetëvendosje do të qeverisë e vetme u tregua thjesht “ëndërr”.

Ai shtoi se askush nuk do të marrë përgjegjësinë për këtë situatë dhe vlerësoi se vendi tashmë është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

Në një shoqëri politike racionale, sipas Dedës, ndëshkimi politik do të ishte i pritshëm. Në Kosovë, megjithatë, ai thotë se shpesh funksionon inati.

“Zgjedhjet e reja, megjithatë, duhet të jenë për dhënie të llogarisë dhe drejtim të ri. Dhe me kurrfarë propagande nuk mund t’i iket kësaj,” përfundoi ai.

Back to top button