
Rusia mund të ndërmarrë një sulm të kufizuar ushtarak kundër një vendi të NATO-s në muajt e ardhshëm, sipas inteligjencës daneze, në paralajmërimin më të drejtpërdrejtë deri më tani nga shërbimet perëndimore të sigurisë, shkruan Financial Times.
Shërbimi Danez i Inteligjencës së Mbrojtjes tha të enjten se ekziston një “rrezik i ulët, por në rritje” që Rusia të mund të dërgojë një numër të vogël trupash, ndoshta pa shenja identifikuese, në një vend fqinj ose të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi kundër infrastrukturës që përdoret për mbështetjen e Ukrainës.
“Kjo mund të përfshijë dislokimin e forcave ushtarake në një zonë të kufizuar brenda vendeve të NATO-s që kufizohen me Rusinë – për shembull, nën pretekstin e mbrojtjes së pakicave lokale ruse”, tha Thomas Ahrenkiel, kreu i Shërbimit Danez të Inteligjencës së Mbrojtjes, në një konferencë për media.
“Qëllimi do të ishte përçarja e aleancës.”
Deklarata daneze përbën paralajmërimin më të qartë deri më tani për planet e Rusisë, pas një numri sulmesh “hibride”, përfshirë një sulm me dron ndaj aeroportit të Leipzigut në Gjermani, i cili u parandalua, si dhe një incident ku një anije ruse hodhi mjete sinjalizuese drejt një helikopteri danez mbi Detin Baltik.
Polonia tha të enjten se Rusia ka të ngjarë të ketë qenë prapa një sulmi me zjarrvënie ndaj një stacioni tokësor Starlink, me qëllim ndërprerjen e shërbimit të internetit në Ukrainë.
“Ky është një element i luftës hibride dhe i luftës së sabotazhit”, tha ministri i Digjitalizimit, Krzysztof Gawkowski, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër.
“Shumë shenja tregojnë se veprime të tilla përputhen me doktrinën ruse të sulmit.”
Inteligjenca daneze tha se Rusia ndodhet nën presion më të madh se në çdo periudhë tjetër që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Shërbimi i inteligjencës shtoi se “nuk ka perspektivë” që Rusia të arrijë ndonjë përparim të madh ushtarak gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Danezët paralajmëruan se Rusia do t’i intensifikojë sulmet hibride kundër vendeve evropiane, me “pasoja më të mëdha” për vendet e shënjestruara, përfshirë “sulme shkatërruese kibernetike që paralizojnë funksionet e shoqërisë, si dhe sulme sabotuese që bartin rrezik të lartë për viktima”.
Jeppe Bruus, ministri danez i Mbrojtjes, tha:
“Rusia është nën presion dhe po dështon t’i arrijë objektivat e saj. Kjo është arsyeja pse ata po synojnë mbështetjen që po i jepet Ukrainës. Kjo vetëm sa tregon se nën sa shumë presion ndodhen në të vërtetë.”
Inteligjenca daneze tha se beson se një pushtim në shkallë të plotë i një vendi të NATO-s nga Rusia është “shumë pak i mundshëm”, pasi një operacion i tillë do të kërkonte grumbullimin e trupave për një periudhë prej më shumë se gjashtë muajsh. Megjithatë, sipas saj, një skenar i tillë “nuk mund të përjashtohet”.
Shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë thënë më parë publikisht se Rusia mund ta drejtojë vëmendjen e saj kah vendet e NATO-s brenda tre deri në pesë vjetësh, veçanërisht nëse lufta në Ukrainë përfundon.
Por shqetësimi është rritur pas sulmeve gjithnjë e më të guximshme ndaj infrastrukturës evropiane, të cilat nuk e arrijnë pragun e një sulmi që do të aktivizonte zotimin për mbrojtje kolektive sipas Nenit 5 të NATO-s.
Inteligjenca daneze tha të enjten se vazhdon të vlerësojë se Rusisë do t’i duheshin gjashtë muaj për të zhvilluar një luftë lokale kundër një vendi fqinj anëtar të NATO-s, dy vjet për të paraqitur një kërcënim të besueshëm për një luftë rajonale dhe pesë vjet për të nisur një luftë në shkallë të gjerë në Evropë.
Megjithatë, ajo shtoi se tani vlerëson se Rusia mund ta përshkallëzojë konfrontimin me Perëndimin përmes shtimit të sulmeve hibride ose edhe përmes një sulmi të kufizuar ushtarak në muajt e ardhshëm, “edhe nëse lufta në Ukrainë vazhdon”.



