
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e vendeve që mbështesin Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Konjufca ka marrë pjesë në një brifing të nivelit të lartë të Bordit të Paqes, ku është diskutuar për sigurinë dhe stabilizimin në Gaza.
“Më shumë se një mijë kilometra e ndajnë Kosovën nga Gaza, por përgjegjësia për paqen dhe sigurinë nuk ndalet në kufij”, ka shkruar Konjufca.
Ai e ka lidhur gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar me transformimin e vendit që nga ndërhyrja e NATO-s.

“27 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova është një histori suksesi: nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, sot kontribuojmë për paqen dhe sigurinë globale”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, Kosova është e gatshme të marrë pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet.
“Republika e Kosovës është e gatshme të japë kontributin e saj”, ka përfunduar Konjufca.



