
Fetah Paçarizi, kandidat i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e ka pësuar më së rëndi në vota gjatë procesit të rinumërimit.
Deri më tani, Paçarizi ka humbur mbi 6 mijë vota.
Më saktë, ish-kandidati i PDK-së ka humbur 6.010 vota deri tani gajtë procesit të rinumërimit.
Por kush është Paçarizi?
Më poshtë po e sjellim një biografi të përgatitur në Paparaci:
I inkuadruar që në rininë e hershme në lëvizjen ilegale LPRK, Paçarizi ka qenë i burgosur politik nga regjimi i kohës. Gjatë luftës, ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas edhe e UÇPMB-së, duke ndërtuar një profil të hershëm angazhimi në proceset çlirimtare dhe shtetndërtuese.
Në planin profesional, Paçarizi ka përfunduar Akademinë e Arteve në Tiranë, ku ka fituar titullin shkencor “Master i Shkencave dhe Arteve të Bukura”. Një nga kapitujt më të spikatur të karrierës së tij është drejtimi për një dekadë i Teatrit Profesional “Bekim Fehmiu” në Prizren, ku shërbeu si drejtor i përgjithshëm për dhjetë vjet.
Gjatë kësaj periudhe, ai themeloi ansamblin rezident të teatrit, siguroi nënkod buxhetor dhe realizoi rekrutimin e stafit artistik, administrativ dhe teknik në paga shtetërore. Nën drejtimin e tij, teatri u pagëzua me emrin e aktorit të madh Bekim Fehmiu dhe u shndërrua në një nga institucionet më të respektuara teatrore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Projektet teatrore të realizuara nën udhëheqjen e Paçarizit u vlerësuan me mbi 40 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me dy çmime nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shfaqjet më të mira në nivel vendi.
Në vitet 2019–2020, Paçarizi ishte anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Ndërkohë, kontributi i tij në kulturë është vlerësuar edhe me çmime dhe mirënjohje institucionale: “Punëtori i Vitit për Kulturë” nga DKRS në vitin 2015, çmimi për aktorin më të mirë në vitin 2017, mirënjohje për kontribut maksimal për teatrin e Prizrenit në Ditën Botërore të Teatrit në vitin 2020, si dhe mirënjohje nga Komuna e Prizrenit në vitin 2021 për menaxhimin e suksesshëm dhjetëvjeçar të teatrit, shkruante Paparaci, ndër të tjera.
Tashmë ai ka reguar në Facebook, të cilin reagim mund ta lexoni më poshtë:



