
Vajza e presidentit amerikan kalon dy ditë në jug të Shqipërisë, takohet me kryeministrin Rama dhe shoqërohet nga një delegacion arkitektësh në kuadër të projektit për zhvillimin e Sazanit.
Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale disa momente nga vizita e saj në Zvërnec dhe përgjatë bregdetit të Vlorës, duke tërhequr vëmendjen me pamje piktoreske nga një prej zonave më të bukura të jugut të Shqipërisë.
Në postimet e publikuara në Instagram, ajo ka shpërndarë fotografi dhe video ku spikasin deti i kristaltë, gjelbërimi karakteristik i zonës dhe panorama nga larg e Ishullit të Sazanit. Videot janë shoqëruar me këngën e njohur shqiptare “Luleborë”, duke i dhënë një notë tradicionale dhe emocionale materialeve të ndara me ndjekësit e saj.
Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në qytetin e Vlorës, ku zhvilloi disa takime zyrtare dhe informale. Mbrëmjen e kaluar ajo u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Kryeministri u takua me të edhe gjatë qëndrimit në Vlorë, ku darkuan së bashku në praninë e delegacionit që e shoqëronte.
Më herët, mbrëmjen e së mërkurës, Ivanka Trump zhvilloi një takim informal me Ramën në zonën e Ujit të Ftohtë, ndërsa më pas ata darkuan në një restorant në Orikum. Në këtë takim morën pjesë edhe rreth 60 arkitektë.
Vizita e saj në Shqipëri vjen në kuadër të një projekti për zhvillimin turistik dhe arkitektonik të Ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit. Ivanka Trump mbërriti në vendin tonë dy ditë më parë, e shoqëruar nga një grup arkitektësh, për të parë nga afër potencialin e zonës dhe për të diskutuar mbi planet e investimit.





