
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se Kosovës i nevojiten institucione që punojnë në të njëjtin drejtim dhe që vazhdojnë bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, Hovenier foli edhe për projektin amerikan të gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Sipas tij, administrata e Donald Trump funksionon mbi bazën e marrëveshjeve konkrete.
“Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar”, deklaroi Hovenier.
Ai paralajmëroi se refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan mund të ndikojë në interesimin e SHBA-së për Kosovën.
“Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës së Trumpit për LNG, atëherë administrata e Trumpit do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën”, tha ai.
Hovenier shtoi se Kosova duhet të jetë kontribuuese për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Ju duhet të jeni neto prodhues i sigurisë dhe stabilitetit”, deklaroi ish-ambasadori amerikan.
Ai vlerësoi se stabilizimi i Kosovës në 25 vitet e fundit është një arritje e madhe, por tha se vendi tani duhet të konkurrojë për vëmendje në bazë të meritave dhe programeve konkrete.



