Jetlir Buja: Listat e hapura po e mbytin demokracinë brenda partive

Gazetari kritikon reformën zgjedhore që lejon votimin e dhjetë kandidatëve për deputetë, duke e quajtur atë korruptim të idesë së demokratizimit dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj opozitarizmit brendapartiak.

Gazetari Jetlir Buja ka kritikuar ashpër modelin aktual të listave të hapura në zgjedhjet parlamentare, duke vlerësuar se ai jo vetëm që nuk e ka rritur demokracinë e brendshme në partitë politike, por e ka dëmtuar atë në thelb.

banner

Sipas Bujës, kalimi nga listat e mbyllura në ato të hapura kishte qenë fillimisht një përpjekje serioze për të nxitur debat dhe garë të brendshme në parti. Megjithatë, kompromisi i bërë me liderët autoritarë partiakë – që qytetarët të mos votojnë një, por pesë kandidatë për deputetë – e ka korruptuar këtë përpjekje që në fillim.

“Votuesi i një partie, përmes këtij modeli, në fakt e ka zgjedhur sërish edhe kryetarin e partisë, e jo vetëm rivalin e tij aktual apo potencial,” thekson Buja, duke shtuar se reforma e fundit zgjedhore e ka radikalizuar edhe më shumë këtë problem, duke e rritur numrin e kandidatëve që mund të votohen nga pesë në dhjetë, pa asnjë kundërshtim serioz publik.

Ai paralajmëron se pasojat janë “tragjikomike”. Së pari, vota për deputet e qytetarit humb vlerën reale, pasi edhe kur ka një kandidat favorit, votuesi e shpërndan fuqinë e votës duke zgjedhur edhe nëntë të tjerë. Së dyti, në partitë e vogla, sidomos ato të komuniteteve jo-shumicë që kanë vetëm 20 apo 30 kandidatë, qytetarët detyrohen praktikisht të votojnë për gjysmën e listës.

Buja ngre gjithashtu shqetësimin se ky sistem imponon votimin për figura të panjohura, rrit fuqinë e votës rajonale – siç u pa, sipas tij, në rastin e PDK-së më 9 shkurt – dhe, mbi të gjitha, e mbyt çdo shenjë të opozitarizmit brenda partive politike.

“Kjo që po ndodh sot është më keq se rikthimi në lista të mbyllura,” vlerëson Buja, duke shtuar se të paktën në atë sistem ekzistonte pakënaqësia e kandidatëve ndaj renditjes në listë, si elementi kyç i garës politike.

Në përfundim, ai paralajmëron se demokracia në Kosovë nuk mund të mbijetojë pa kërkesa të qarta për demokraci të brendshme në partitë politike. “Pa këtë, një ditë ajo thjesht do të rrëzohet si kullë prej letre,” përfundon Buja.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.