Joseph kritikon BE-në për reagimin ndaj Ligjit për Specialen: Shqetësimet duhej të ngriheshin privatisht

Profesori amerikan Edward P. Joseph ka kritikuar mënyrën se si Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj Ligjit të ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas tij, Brukseli do të duhej t’i shprehte shqetësimet privatisht, në vend që ta akuzonte publikisht Kosovën për mosrespektim të obligimeve ndaj BE-së.

Joseph ka përmendur edhe funeralin e Ratko Mlladiqit në Serbi, për të cilin thotë se u mbështet nga shteti serb, por që, sipas tij, nuk u pasua me veprime konkrete të BE-së.

“BE-ja i ka trajtuar në mënyrë të gabuar shqetësimet e saj lidhur me Ligjin e ri të Kosovës për Dhomat e Specializuara. Brukseli duhej t’i ngrinte këto shqetësime në mënyrë private, në vend që ta akuzonte publikisht Kosovën për mosrespektim të “obligimeve ndaj BE-së”. Brukseli nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete lidhur me funeralin e Ratko Mlladiqit, të mbështetur nga shteti – kriminelit më të rëndë të luftës në Ballkan – ndërkohë që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë profesori amerikan i John Hopkins University.

Sipas Josephit, mungesa e pasojave lidhur me funeralin e Mlladiqit dhe reagimet në Beograd ndaj dënimeve të Hashim Thaçit dhe të tjerëve kërkonin më shumë ndjeshmëri nga BE-ja në trajtimin e ligjit.

“Mungesa e pasojave për Serbinë lidhur me funeralin e Mlladiqit si dhe reagimet festuese në Beograd ndaj aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara kërkonin shumë më tepër ndjeshmëri në trajtimin e ligjit të Kosovës”, ka thënë Joseph për Express.

Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara nuk janë të imunizuara ndaj kritikave, ndërsa i ka cilësuar dënimet ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së si joproporcionale krahasuar me dënimet e shqiptuara nga Tribunali i Hagës për krime, sipas tij, shumë më të rënda.

“Dhomat e Specializuara nuk janë të imunizuara ndaj kritikave. Dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Thaçi, janë tejet joproporcionale krahasuar me dënimet e dhënga nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda”, ka shtuar Joseph.

Në fund, Joseph ka përsëritur se BE-ja mund t’i kishte paraqitur privatisht shqetësimet e saj për ligjin, në vend që të reagonte publikisht.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.