Kandidati i VV-së: Shoferi i Nurës me ofendoi para familjes, le ta provojë me Armend Zemajn

Ai sfidon shoferin e Fadil Nurës që të dalë në shesh dhe të përdorë të njëjtën gjuhë përballë deputetit të LDK-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Bekim Nurës, shofer i kryetarit aktual të Komunës së Skenderajt, Fadil Nurës. Ai thotë se Nura dhe një person tjetër kanë lëshuar fyerje ndaj tij ditën e zgjedhjeve, teksa ai po ecte me bashkëshorten dhe vajzën 15 vjeçe të vëllait.

“Kur të shohin me gra e fëmijë, burra nuk ofendojnë. E as nuk ofendojnë nga kati i dytë”, ka thënë kandidati i VV-së, duke kërkuar që përgjigjja të jepet ballë për ballë.

Ai thekson se sjellje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e figurave historike për të cilat politikanët shpesh thirren, dhe se asnjëherë nuk mund të imagjinohet Ibrahim Rugova të sulmonte apo fyente dikë në këtë mënyrë.

Sfidën e tij publike e drejton pikërisht ndaj Bekim Nurës: “I ftoj këta dy trima që ditën e diel, pra pas dy javësh, le të dalin nesër në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe le ta provojnë të njëjtën gjuhë me Armend Zemajn.”

Ai shton se fyerjet nga njerëz që sipas tij kanë tentuar të dëmtojnë shtetin nuk e godasin në sedër. “Kur je rehat me ndërgjegjen, reagimi më i madh që mund të kesh është një buzëqeshje”, ka përfunduar ai.

Back to top button