
Autori i emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki, ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nevojë për një marrëveshje të gjerë të brendshme dhe jo për një përballje të re politike përmes Kuvendit Zgjedhor.
Sipas tij, organizimi i një Kuvendi Zgjedhor në këtë fazë mund t’i krijojë partisë më shumë probleme sesa zgjidhje.

Kerquki argumenton se, edhe nëse Lumir Abdixhiku e fiton votëbesimin, kjo nuk nënkupton automatikisht se do ta ketë mbështetjen e nevojshme për të arritur një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi përçarjet brenda Grupit Parlamentar mbeten një pengesë serioze.
“Në këtë fazë, LDK ka nevojë për një marrëveshje të madhe brenda vetes, jo për një betejë të re”, ka shkruar ai, duke shtuar se shtyrja e Kuvendit Zgjedhor për një moment më të përshtatshëm dhe arritja e një konsensusi mes dy krahëve të partisë do të ishte zgjidhja më e mençur për vendimmarrjet e mëdha politike.



