Kica-Xhelili: Demagogjia e Kurtit nuk gjen mbështetje, ai kopjoi planin e LDK-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas dështimit të kabinetit të propozuar nga Albin Kurti për të marrë votat e nevojshme në Kuvend, duke e cilësuar kryeministrin në detyrë si demagog dhe të paqëndrueshëm politikisht.

Në një postim në Facebook, ajo akuzoi Kurtin se ka ndërtuar qeverisjen mbi “bllokadë, vonesa, vendime të paligjshme dhe shkelje kushtetuese”, duke shtuar se në fund rezultati tregoi mungesë të mbështetjes së tij politike.

“Ajo gjuhë nuk ka mbështetje. Ajo demagogji nuk gjen numra. Ajo mendësi nuk ka të ardhme”, shkroi Kica-Xhelili.

Deputetja e LDK-së e akuzoi gjithashtu Kurtin se ka kopjuar elementë nga programi i partisë së saj, përfshirë idenë për të krijuar Ministrinë e Familjes dhe Ministrinë e Digjitalizimit, si dhe ndarjen e Infrastrukturës nga Planifikimi Hapësinor.

“T’a kopjojnë edhe munden, por për t’a zbatuar i duhen njerëzit profesional, racional, me mendësi progresi e jo përçarëse, që këta nuk i kanë”, theksoi ajo.

Kica-Xhelili e mbylli reagimin e saj me shprehjen latine “In proximo nostro proelio” (Në betejën tonë të ardhshme), duke lënë të hapur pritshmërinë për zhvillimet politike që pritet të pasojnë.

Me moskalimin e votimit për qeverinë e re, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Back to top button