Koalicion me Vetëvendosjen? Haziri: Mos pritni – për LDK-në është çështje e mbyllur, s’ka befasi

Nënkryetari i LDK-së përjashton çdo befasi në qëndrimin e partisë për votimin e qeverisë së re

Deputeti dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka theksuar se LDK-ja nuk do të hyjë në asnjë marrëveshje që mund të interpretohet si “shitje e votës” në procesin e formimit të Qeverisë Kurti III.

I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Haziri deklaroi se qëndrimi i partisë është i qartë dhe i mbyllur: nuk do të ketë lëkundje politike as në momentin vendimtar.

“‘Qeveri të elefantëve’ nuk ka. Me faktin që janë plotësuar kërkesat e deputetëve të pakicave joserbe, atëherë nuk përjashtohet mundësia të bëhet qeveria me deputetë të partive të tjera. Për LDK-në është çështje e mbyllur, mos pritni nuk ka befasi”, tha Haziri.

Ai shtoi se asnjë parti nuk është e gatshme të sakrifikojë vetveten politikisht duke votuar qeverinë e re në kushte të perceptimit negativ publik.

“Ne jemi të përgjegjshëm, por jo kur na pamundësohet. Nëse votoj nesër për arsye sublime, cilësohem si votë e bartur. Çdo racionalitet sot quhet budallaki. Çdo votë me vullnet të mirë quhet shitje e votës. Askush nuk bën vetëvrasje politike për t’i bërë mirë kësaj Republike kur e di që është vetëvrasje politike”, u shpreh ai.

Seanca e së dielës në Kuvendin e Kosovës pritet të jetë vendimtare për formimin e institucioneve të reja. Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka njoftuar për ndonjë marrëveshje formale me subjektet tjera, por këmbëngul se po punon për sigurimin e numrave të mjaftueshëm për votim.

Back to top button