
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Kryesinë e partisë, duke bërë thirrje për unitet dhe respektim të vendimmarrjes statutare.
Në deklaratën e miratuar pas mbledhjes së sotme në selinë qendrore të LDK-së, Kolegjiumi shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, gjendjen institucionale dhe angazhimin e partisë në periudhën paszgjedhore.
Në pikën e dytë të deklaratës, Kolegjiumi rikonfirmon mbështetjen për udhëheqjen e partisë.
“Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”, thuhet në deklaratë.
Kolegjiumi vlerësoi gjithashtu punën e strukturave të partisë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se LDK ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare krahasuar me zgjedhjet paraprake, ndërsa kërkoi një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor për të identifikuar mundësitë për përmirësim.
Në deklaratë ritheksohet edhe përkushtimi i LDK-së për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme, Kolegjiumi thekson se organizimi i partisë rregullohet nga Statuti i LDK-së dhe vendimet e organeve legjitime, duke bërë të ditur se zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese do të mbahen gjatë vitit 2027, sipas afateve statutore.
Në fund, u bëhet thirrje të gjitha strukturave dhe anëtarëve të LDK-së që të fokusohen në forcimin e partisë, ruajtjen e unitetit dhe përmbushjen e përgjegjësive ndaj qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E KOLEGJIUMIT TË DEGËVE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.
Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve:
- Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.
- Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.
- Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.
- Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.
- Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës.
Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.



