Kongresmeni amerikan Joe Wilson dënon deklaratën e ministres serbe: Beogradi s’duhet ta organizojë samitin e OSBE-së

Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson, i njohur për angazhimin e tij në çështjet e Ballkanit Perëndimor, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Wilson tha se deklarata të tilla janë arsye e mjaftueshme që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mos e shqyrtojë kandidaturën e Beogradit për organizimin e sesionit vjetor të vitit 2027.

banner

“Këto deklarata të neveritshme dhe nxitëse nga një zyrtare e Qeverisë serbe janë pikërisht arsyeja pse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk duhet ta shqyrtojë kandidaturën e Beogradit për të organizuar sesionin vjetor të vitit 2027. OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka shkruar Wilson në rrjetin social X.

Deklarata e Paunoviqit ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht.

Pas saj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se qëndrimi i ministres nuk përfaqëson politikën e Presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.

“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, u shpreh Vuçiq.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shpalli Snezhana Paunoviqin persona non grata, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin transit në territorin e Republikës së Kosovës.

Joe Wilson është anëtar i vjetër i Komitetit për Punët e Jashtme dhe Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Kongresin amerikan, si dhe bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit (CSCE), ku është angazhuar vazhdimisht në çështjet që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.