
Rreth 58 mijë qytetarë të regjistruar jashtë Kosovës do të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të nisë nesër procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që janë regjistruar për të ushtruar të drejtën e votës përmes postës.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 58 mijë votues kanë zgjedhur këtë formë votimi, ndërsa KQZ-ja do t’i dërgojë pakot me fletëvotime në adresat e deklaruara nga secili prej tyre.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se dërgimi i fletëvotimeve do të realizohet përmes një operatori ekonomik.
“Gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Elezi.
KQZ-ja u ka bërë thirrje votuesve jashtë Kosovës që, pas pranimit të pakove, t’i plotësojnë fletëvotimet sipas udhëzimeve dhe t’i kthejnë ato brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që vota e tyre të jetë e vlefshme.



