
Akademiku Mehmet Kraja ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke vlerësuar se ato burojnë nga pakënaqësi reale të qytetarëve dhe jo nga ndikime të jashtme apo teori konspirative.
Sipas Krajës, rruga që e ka çuar qytetarin e Shqipërisë deri te protestat ka qenë e gjatë dhe e mbushur me probleme të shumta politike, ekonomike dhe shoqërore.
“Zgjedhje të manipuluara me patronazhistë, pushtet i babëzitur i kleptokratëve, asete kombëtare dhe pushtet ekonomik i përqendruar tek oligarkët, buxhet i keqpërdorur, gjyqësi e korruptuar, afera kriminale, taksa frymënxënëse dhe tjetërsim i pronës”, ka renditur ai.
Kraja ka theksuar se këto arsye janë të mjaftueshme për të nxjerrë qytetarët në protestë, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga shërbime sekrete apo faktorë të tjerë të jashtëm.
“Kjo është e mjaftueshme për ta nxjerrë në protestë mbarë Shqipërinë, pa pasur nevojë për shërbime sekrete të huaja”, ka shkruar ai.
Akademiku ka shtuar se, nëse dikush përpiqet t’i manipulojë protestuesit, sipas tij kjo mund të vijë vetëm nga pushteti dhe mediat pranë tij.



