
Ministri në detyrë thotë se zgjedhja e Rashiqit ishte legjitime dhe paralajmëron se vendimi favorizon monopolin politik të Listës Serbe.
Ministri në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
Në një reagim në Facebook, në emër të grupit parlamentar multietnik të përbërë nga tetë deputetë të Legjislaturës së 10-të, Krasniqi ka shprehur shqetësim të thellë për vendimin, duke theksuar se në seancën e 10 tetorit 2025 janë përmbushur të gjitha kushtet kushtetuese për zgjedhjen e Rashiqit.
Sipas tij, kandidimi i Rashiqit ka ardhur nga radhët e komunitetit serb dhe zgjedhja është bërë me shumicën e votave të deputetëve, çka e bën procesin, siç tha, legjitim dhe proceduralisht të rregullt.
Krasniqi ka kritikuar Gjykatën se nuk ka marrë parasysh rrezikun e diskriminimit të drejtpërdrejtë ndaj një deputeti, nëse atij i mohohet e drejta për të kandiduar vetëm për shkak të përkatësisë partiake. “Mohimi i kësaj të drejte do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku përkatësia partiake do të mbizotëronte mbi përkatësinë komunitare”, ka theksuar ai.
Ai shtoi se Kushtetuta garanton përfaqësim të komuniteteve dhe jo monopol politik nga një subjekt i vetëm, duke paralajmëruar se vendime të tilla mund të ngushtojnë pluralizmin dhe të dobësojnë frymën shumetnike të shtetit.
Në fund, Krasniqi dhe grupi parlamentar multietnik kanë bërë thirrje që aktgjykimi të lexohet me kujdes në dritën e pasojave që mund të ketë për përfaqësimin demokratik dhe barazinë e komuniteteve në Kosovë.



