
Takimi me presidenten Osmani thekson pasigurinë dhe krizën politike në vend.
Prishtinë – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar pasditen e sotme me presidenten Vjosa Osmani. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
Gjatë takimit, Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se në Kuvend nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Sipas partisë, çdo mandatim i ri për ndonjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte një përpjekje e kotë për të fituar kohë, duke thelluar krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione.
“Po, sot pasdite, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re. Çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, tha Abdullahu.



